Heqja e vizave për kosovarët nga Bosnja mund të vonohet për vite
Gati tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes për njohjen e ndërsjellë të letërnjoftimeve në kuadër të Procesit të Berlinit, qytetarët e Kosovës ende nuk mund të udhëtojnë pa viza në Bosnje e Hercegovinë. Arsyeja kryesore mbetet mungesa e ratifikimit nga autoritetet shtetërore të Bosnjës, për shkak të kundërshtimit të përfaqësuesve serbë.
Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Rexhepi, tha për TV Dukagjini se pret që ratifikimi të ndodhë së shpejti, duke theksuar bashkëpunimin me boshnjakët dhe kroatët për ta çuar këtë çështje në Dhomën e Popujve. Ajo shtoi se Ministri i Jashtëm i Bosnjës, Elmedin Konaković, ka premtuar ta paraqesë propozimin në Këshillin e Ministrave.
Por deputeti boshnjak Amir Purić paralajmëroi se zgjidhja mund të vonohet deri pas vitit 2026, për shkak të bllokadës politike.
Ndërkohë, kryetari i shoqatës “Dardania”, Rizah Sokoli, theksoi se më së shumti po pëson komuniteti shqiptar, duke bërë thirrje që Bosnja të ndjekë shembullin e Greqisë në pranimin e dokumenteve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës thotë se po punon aktivisht për zbatimin e marrëveshjes, ndërkohë që nga 1 janari ka hequr vizat për shtetasit e Bosnjës, ndonëse Republika Srpska vazhdon të bllokojë reciprocitetin.











