#Kronika e zezë #Lajme

Plagoset një burrë në rrugën Klinë–Gjakovë, ishte me familjen në momentin e sulmit

Një person ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të sotëm në rrugën Klinë–Gjakovë, në afërsi të fshatit Kramovik.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka bërë të ditur se viktima ishte duke udhëtuar me familjen e tij kur ndodhi sulmi.

Sipas informacioneve fillestare, personi i plagosur kishte dalë nga automjeti dhe është qëlluar nga një drejtim ende i panjohur. Aktualisht ai ndodhet nën kujdes mjekësor.

Policia ka cilësuar rastin si “vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësitet kompetente, nën mbikëqyrjen e prokurorit të shtetit.