#Lajme

Aksion i madh antidrogë në Shkodër – asgjësohen mbi 16 mijë bimë kanabisi, sekuestrohen 320 kg

Policia e Shtetit ka ndërmarrë një aksion të gjerë në kuadër të operacionit të koduar “Koordinata”, ku gjatë kontrolleve intensive në territorin e qarkut Shkodër janë zbuluar dhe asgjësuar gjithsej 16.755 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa. Gjithashtu, janë sekuestruar edhe 320 kilogramë degë kanabisi të prera dhe në proces tharjeje.

Operacioni është zhvilluar në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të dislokuara në qark, si dhe me komisariatet e Shkodrës, Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës.

Në njësitë administrative Pult, Shalë, Postribë dhe Shosh, janë gjetur 15.852 bimë dhe 320 kg kanabis në tharje. Në zonën e Kastratit në Malësi të Madhe, janë asgjësuar 429 bimë, ndërsa në Shllak dhe Temal të Vaut të Dejës – 474 bimë.

Policia ka njoftuar se operacioni vijon dhe po punohet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve të përfshirë në kultivimin e këtyre bimëve narkotike.