#Lajme

Zyrtari policor arrestohet për sulm ndaj kolegut brenda stacionit policor

Një zyrtar policor që shërben në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë është arrestuar sot nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), nën dyshimet për sulm fizik ndaj një kolegu të tij gjatë orarit të punës.

Sipas IPK-së, hetuesit janë njoftuar pasdite për incidentin që ka ndodhur brenda ambienteve të këtij stacioni policor dhe kanë ndërmarrë menjëherë veprimet hetimore fillestare.

Zyrtari policor është arrestuar me dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulm”, ndërsa me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Në të njëjtën kohë, IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij nga detyra, në përputhje me autorizimet ligjore dhe në interes të hetimit.

Hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës, pritet të ndërmarrin veprime të tjera për të sqaruar rrethanat e incidentit.

Inspektorati Policor i Kosovës thekson përkushtimin e tij për trajtimin me seriozitet të çdo veprimi të kundërligjshëm brenda radhëve të policisë, në funksion të ruajtjes së integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës.