Aksident tragjik në Prishtinë, humb jetën një motoçiklist
Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur pasditen e së premtes në rrugën “Edmond Hoxha”, pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë.
Në aksident u përfshinë një veturë dhe një motoçikletë, ndërsa si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motoçikletës ka humbur jetën në vendin e ngjarjes. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi i mjekëve emergjentë që arriti në vendin e ngjarjes.
Lajmin e ka konfirmuar për gazetën KOHA zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana.
“Sot rreth orës 17:00, kemi pranuar informatën për një aksident trafiku me pasoja fatale në rrugën ‘Edmond Hoxha’. Në aksident janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë. Për pasojë, drejtuesi i motoçikletës, mashkull, ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Vdekjen e tij e kanë konstatuar ekipet mjekësore emergjente. Njësia e Trafikut ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit”, ka deklaruar Pllana.
Hetimet rreth shkaqeve të aksidentit janë në vijim.











