Arrestohen tre persona në Prishtinë për keqpërdorim të kartelave bankare dhe vjedhje identiteti
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për përfshirje në aktivitete kriminale që lidhen me keqpërdorimin e kartelave bankare dhe vjedhjen e të dhënave personale.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me prokurorinë dhe me urdhër të gjykatës. Më 31 korrik 2025, në rajonin e Prishtinës janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se në bashkëveprim kanë përdorur kartela të bardha bankare për tërheqje të parave në bankomate dhe promovim të tyre përmes rrjeteve sociale.
Gjatë bastisjeve, Policia ka sekuestruar pajisje të ndryshme teknologjike, përfshirë dy kompjuterë, një laptop, dy telefona, tri USB dhe një hard disk. Të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit.
Më 1 gusht 2025, është arrestuar edhe një person i tretë, që dyshohet të jetë pjesë e të njëjtit grup, i cili gjithashtu është dërguar në mbajtje.
Policia e Kosovës apelon qytetarët që të kenë kujdes me të dhënat e tyre personale dhe bankare, për të shmangur rrezikun nga mashtrimet dhe vjedhjet kibernetike.










