#Lajme

“Terren i pashkelur kushtetues” – Analistët: Gjykata Kushtetuese kërkon zgjidhje për krizën politike

Kosova ndodhet në një ngërç të thellë politik, pasi edhe pas 54 seancave nuk është arritur konstituimi i Kuvendit të ri, që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Kjo bllokadë ka shtyrë Gjykatën Kushtetuese të ndërhyjë me një masë të përkohshme për të shqyrtuar kushtetutshmërinë e procesit.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë se Gjykata ka mundësinë të korrigjojë gabimet e vitit 2014 dhe të vendosë një standard të ri për shmangien e bllokadave. Ai shton se duhet sqaruar nëse është abuzuar me detyrën nga kryesuesi Avni Dehari dhe nga Vetëvendosje në procesin e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

Edhe Eugen Cakolli nga KDI vlerëson se situata është “terren i pashkelur kushtetues” dhe paralajmëron se mungesa e pasojave mund të krijojë precedent të rrezikshëm. Sipas tij, Gjykata duhet të konstatojë jo-kushtetutshmërinë e situatës dhe t’i hapë rrugë Presidentes për shpallje të zgjedhjeve të reja.

Ndërkohë, përplasja politike vazhdon, pasi LVV këmbëngul në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë opozitare refuzojnë ta mbështesin, duke e cilësuar si emër jounifikues. Tentativa për formimin e Komisionit Zgjedhor ka dështuar, duke e futur vendin në një krizë të thellë institucionale.