#Lajme

Lirimi i pesë policëve të dyshuar për vdekjen e Agon Zejnullahut, familja reagon e shqetësuar: Ky vendim na hapi edhe më shumë plagët

Pas vendimit të Gjykatës së Apelit për të liruar nga masa e paraburgimit pesë zyrtarët policorë të dyshuar për vdekjen e Agon Zejnullahut, ka reaguar familja e të ndjerit.

Bëhet fjalë për rreshterin Ibrahim Nela dhe zyrtarët Albian Retkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri, të cilët po përballen me akuzën për “vrasje nga pakujdesia” ndaj 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

Sipas Gjykatës së Apelit, rreziku i përsëritjes së veprës penale nuk qëndron, duke e cilësuar të pabazuar pretendimin se masa e paraburgimit është e nevojshme për shkak të raporteve të acaruara mes familjarëve të viktimës dhe të pandehurve.

Mirëpo familja Zejnullahu e ka pritur me shqetësim këtë vendim. Në një deklaratë për Indeksonline, vëllai i Agonit, Albani, u shpreh se lirimi i të dyshuarve është i pakuptueshëm dhe se e ka rënduar edhe më shumë dhimbjen e familjes së tyre. “Ky vendim na ka hapur edhe më shumë plagët,” tha ai, duke njoftuar se familja do t’u drejtohet të gjitha instancave ligjore dhe do të dorëzojë ankesë për shqyrtimin e këtij vendimi.

Ndërkohë, Albani ka mohuar pretendimet e avokatit Besnik Berisha, i cili kishte deklaruar se ishte kërcënuar nga një anëtar i familjes Zejnullahu. “Kjo është një shpifje e ulët. Nëse ai ka marrë ndonjë kërcënim, le ta publikojë. Ai po del nga kornizat e tij si avokat, duke u marrë personalisht me familjen tonë,” ka thënë Albani.