Çitaku akuzon Qeverinë në detyrë për keqpërdorim të rastit tragjik në Ujman për qëllime politike
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po e keqpërdor rastin tragjik të mërgimtarit që u mbyt në Liqenin e Ujmanit për propagandë politike.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si, sipas saj, po manipulohet me këtë ngjarje për përfitime politike, duke thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) nuk është dërguar në veri për të luftuar, por për të ndihmuar në kërkimin e trupit të pajetë të të riut që humbi jetën.
“Jeni të neveritshëm. A keni fije përgjegjësie? A keni fare ndjeshmërie njerëzore? Si mund të abuzoni me vdekjen tragjike të një të riu për propagandë politike? FSK nuk ka shkuar në veri për të luftuar, por për të kërkuar trupin e një djali që humbi jetën tragjikisht”, ka shkruar ajo.
Çitaku gjithashtu ka akuzuar Qeverinë se po përpiqet të ndërtojë një narrativë të rreme përmes manipulimit të imazheve dhe të ngjarjes vetë. “Po përpiqeni të retushoni edhe historinë. Por nuk do t’ia dilni. Marre ju qoftë”, ka përfunduar ajo.
Ndërkohë, Forca e Sigurisë së Kosovës u angazhua të martën në mëngjes për të mbështetur autoritetet civile në kërkimin e trupit të mërgimtarit që dyshohet se është mbytur të dielën, pasi u hodh nga një urë në liqenin e Ujmanit në Zubin-Potok. Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, dhe kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri, si dhe ekipe të EULEX-it.
Pavarësisht përpjekjeve dyditore nga Policia dhe ekipet e Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, trupi ende nuk është gjetur.











