Zelensky: Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes, do të vazhdojë bashkëpunimin me SHBA-në për siguri dhe zhvillim
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka theksuar se vendi i tij është i përkushtuar ndaj paqes dhe se do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të forcuar sigurinë dhe mirëqenien e të dy vendeve.
“Ukraina mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe do të punojë pa u lodhur me SHBA-në për t’i bërë të dy vendet tona më të sigurta, më të forta dhe më të begata,” deklaroi Zelensky në një reagim në platformën X.
Ai komentoi edhe vendimin e fundit të presidentit amerikan për të shkurtuar afatin 50-ditor të vendosur më herët për arritjen e një armëpushimi mes Moskës dhe Kievit, duke e cilësuar këtë si një hap vendimtar dhe në kohën e duhur.
Zelensky shprehu mirënjohjen e tij ndaj presidentit amerikan për, siç tha, vendosmërinë dhe qëndrimin e qartë në mbështetje të paqes dhe stabilitetit.











