#Kosova #Lajme

Mbahen homazhe shtetërore për heroin Enver Zymeri dhe zyrtarët policorë të rënë në krye të detyrës

Në përkujtim të 14-vjetorit të rënies së Heroit Enver Zymeri dhe në shënim të Ditës Memoriale për zyrtarët policorë që kanë rënë në krye të detyrës, sot janë mbajtur homazhe shtetërore të organizuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës.

Homazhet kanë nisur në orët e para të mëngjesit me vizitën e përfaqësuesve institucionalë te familja e zyrtarit policor Muhamed Lika. Gjatë ditës është paraparë të zhvillohen homazhe edhe pranë varrit të Heroit Afrim Bunjaku, si dhe vizitë në familjen e tij.

Po ashtu, në agjendë janë përfshirë homazhe pranë varrit të Heroit Enver Zymeri, vizitë në familjen e tij dhe nderime pranë lapidarit në vendin ku ai ra në krye të detyrës.

Ceremonitë përkujtimore do të përmbyllen në orën 17:00 me pritjen zyrtare të marshuesve në Qendrën për Trajnim për Kërkim-Shpëtim “Berim” në Zubin Potok – Ujman.