OVL e UÇK-së kërkon mbështetje financiare nga Ministria e Drejtësisë për mbrojtjen e të burgosurve në Hagë
Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së i ka dërguar një letër ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke kërkuar sigurimin urgjent të mjeteve financiare për mbrojtjen juridike të të burgosurve në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Në këtë letër, OVL e UÇK-së shpreh shqetësimin për mungesën e mbështetjes institucionale në mbulimin e shpenzimeve për avokatët mbrojtës të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët janë duke u përballur me procese gjyqësore në Hagë.
“Proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së përfaqësojnë jo vetëm individët, por edhe historinë e drejtë të luftës sonë çlirimtare. Mbrojtja adekuate dhe profesionale e tyre është një domosdoshmëri themelore e drejtësisë dhe një detyrim moral e institucional i Republikës së Kosovës,” thuhet në letër.
Organizata kërkon që institucionet shtetërore të reagojnë me përgjegjësi dhe të sigurojnë mbështetjen e nevojshme për të garantuar një proces të drejtë dhe të barabartë për të akuzuarit në Hagë.












