#Lajme

Limaj mohon ofertën për Duda Baljen: Vetëm diskutime të zakonshme mes deputetësh

Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka mohuar të ketë bërë ndonjë ofertë për deputeten Duda Balje, duke thënë se mes tyre ka pasur vetëm biseda të zakonshme parlamentare.

Reagimi i Limajt vjen pasi Balje, në një intervistë për Indeksonline, deklaroi se ka marrë një ofertë nga ai, por se nuk do të ndryshojë qëndrim. Ajo theksoi se nuk ka besim te Albin Kurti dhe e konsideron të pamundur një bashkëpunim me të.

Sipas Limajt, nuk ka pasur ndonjë takim të veçantë, por vetëm komunikim të rregullt ndërmjet deputetëve. Ai tha se Balje ka paraqitur arsyet pse nuk e mbështet votimin dhe se nuk ka asnjë problem mes tyre.

Këto zhvillime vijnë në prag të seancës së 52-të të Kuvendit të Kosovës, e cila pritet të mbahet nesër dhe konsiderohet vendimtare për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca është e fundit brenda afatit kushtetues 30-ditor të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, megjithatë sigurimi i votave mbetet sfidë.