Duda Balje: Nuk dua poste, kërkesa ime është komuna për boshnjakët
Deputetja boshnjake Duda Balje ka bërë të ditur se ka marrë një propozim nga Fatmir Limaj për të diskutuar rreth mundësisë së mbështetjes për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por thekson se qëndrimi i saj mbetet i pandryshuar: ajo nuk kërkon poste apo përfitime, por një komunë për komunitetin boshnjak.
Në një intervistë për Indeksonline, Balje deklaroi se nuk ka pasur bisedime me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se bashkëpunimi me Albin Kurtin është i pamundur për shkak të mungesës së besimit të ndërsjellë.
“Unë s’du pozitë, s’du kurgjo, kërkesa ka qenë për boshnjakët. Me Fatmirin kemi biseduar, ai e ka kuptuar arsyetimin tim”, tha ajo.
Balje tha gjithashtu se ndaj saj është ndërmarrë një “luftë personale”, duke përmendur një deklaratë të deputetit të LVV-së, Arbër Rexhaj, i cili sipas saj ka thënë se “në Këshillin e Sigurisë është fol për Dudën”, gjë që ajo e konsideron shqetësuese.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet nesër në seancën e 52-të, e cila përkon me afatin kushtetues për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, mungesa e një vote për të arritur shumicën e nevojshme prej 61 votash mban pezull procesin.











