Cakolli kritikon Presidenten Osmani: Po paragjykon Kuvendin pa bazë juridike
Kërkesa e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, drejtuar Gjykatës Kushtetuese për caktimin e një mase të përkohshme, ka nxitur reagime të ashpra në skenën politike.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një intervistë për emisionin “Click” në RTV21, ka vlerësuar se ky veprim përbën një paragjykim të pajustifikuar juridikisht ndaj procesit parlamentar.
Sipas tij, Kuvendi ka ende kohë ligjore për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e institucioneve deri në fund të afatit kushtetues.
“Me kërkesën e saj për masë të përkohshme, Presidentja po paragjykon se Kuvendi nuk do të arrijë ta përmbushë detyrimin e vet. Kjo është një supozim i pabazuar juridikisht, pasi deputetët kanë kohë deri në minutën e fundit të së shtunës për të arritur një marrëveshje,” tha Cakolli.











