#Lajme

Çitaku kritikon Ministrinë e Jashtme pas arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas lajmit për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Lulzim Halili, nga autoritetet serbe. Ajo tha se ky nuk është rasti i parë dhe se misionet diplomatike të Kosovës duhet të jenë më aktive për lirimin e qytetarëve që po mbahen në burgjet e Serbisë.

“Fatkeqësisht, tashmë kjo është bërë një ngjarje e përsëritur. Ka edhe ushtarë të tjerë të UÇK-së që janë në burgje serbe prej muajsh. Qeveria dhe misionet tona diplomatike duhet të angazhohen më shumë për të vënë në lëvizje mekanizmat ndërkombëtarë për lirimin e tyre,” u shpreh Çitaku, duke theksuar se ata nuk duhet të trajtohen si njerëz pa atdhe.

Ajo kritikoi Ministrinë e Punëve të Jashtme për, siç tha, përqendrim në çështje të brendshme, në vend se të jetë në funksion të qytetarëve dhe mbrojtjes së tyre jashtë vendit.

Halili u arrestua të hënën në Serbi dhe, sipas raportimeve, ndaj tij është vendosur masa e ndalimit prej 48 orësh nga Zyra e Prokurorit për Krime të Luftës.