Drejtori i Policisë: I dimë qëllimet e Serbisë, jemi të përgatitur për çdo sfidë sigurie
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar se institucionet e sigurisë janë të përgatitura për çdo sfidë që mund të paraqitet në vend, përfshirë kërcënimet që vijnë nga Serbia.
Në një konferencë për media të mbajtur në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), Hoxha tha se janë të vetëdijshëm për qëllimet politike të Serbisë, të cilat, sipas tij, nuk kanë qenë asnjëherë në përkrahje të paqes dhe sigurisë në Kosovë.
“Ne i dimë qëllimet e politikës së Serbisë. Nuk është se kanë qenë ndonjëherë në përkrahje të paqes e stabilitetit në vendin tonë”, u shpreh Hoxha.
Ai shtoi se situata e sigurisë në Kosovë është në përgjithësi e qetë dhe stabile, me përjashtim të pjesës së veriut, ku gjendja vazhdon të jetë e brishtë.
“Në pjesën veriore, situata mbetet e brishtë për shkak të veprimeve që shpeshherë vijnë nga qeveria e Serbisë, por edhe nga grupe të ndryshme kriminale, ekstremiste e terroriste që veprojnë në atë zonë”, tha ai.










