#Lajme

Polici dëshmon për natën e sulmit në Banjskë: Ishim përballë një grupi të organizuar, jo të thjesht kriminal

Në vazhdimin e seancës gjyqësore për rastin “Banjska”, dëshminë e tij e ka dhënë polici hetues Halim Behramaj, i cili përshkroi momentet dramatike të natës së sulmit.

Ai tha se rreth orës 2 të mëngjesit ishte njoftuar për një barrikadë në Banjskë dhe se bashkë me kolegun Avni Shala ishte nisur drejt vendit të ngjarjes për të asistuar njësitë kufitare.

“Në momentin kur jemi afruar barrikadës, polici Elez Peci na paralajmëroi për një kurth të mundshëm. Pak çaste më pas dëgjuam një shpërthim të fuqishëm, pasuar nga të shtëna me armë të ndryshme. U bë e qartë që nuk po përballeshim me një grup të thjesht kriminal, por me një strukturë të organizuar e të armatosur rëndë”, deklaroi Behramaj.

Ai përmendi se nga distanca e kishte parë rreshterin Afrim Bunjaku të shtrirë në rrugë, por nuk kishte qenë e mundur të afrohej për shkak të intensitetit të zjarrit. “Pozicionet dhe armët që kishin, na bënë të kuptojmë seriozitetin e situatës,” shtoi ai.

Sipas dëshmisë, në ndihmë kishte ardhur edhe një autoblindë nga Izvori, ndërsa përplasja ishte e rëndë dhe me rrezik të lartë për jetën e pjesëtarëve të policisë.