#Kosova #Lajme

Afati kushtetues drejt fundit – ende pa zgjidhje për bllokadën në Kuvendin e Kosovës

Me afrimin e datës 26 korrik, kur përfundon afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, situata politike mbetet e bllokuar dhe pa sinjale për ndonjë zgjidhje të afërt.

Në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO124/25, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Megjithatë, pavarësisht kalimit të kohës, nuk është arritur ndonjë marrëveshje politike që do të mundësonte daljen nga kriza.

Partitë opozitare – PDK, LDK, AAK, Nisma dhe Lista Serbe – vazhdojnë të refuzojnë propozimin e anëtarëve për komisionin për votim të fshehtë, duke e penguar kështu vazhdimin e procedurave për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje mbetet e palëkundur në kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit dhe këmbëngul në realizimin e votimit përmes procedurës së fshehtë.

Të shtunën, u mbajt një takim mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe liderit të Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, por pa ndonjë rezultat konkret për zhbllokimin e procesit.

Kriza politike ka ngjallur shqetësim në opinionin publik dhe te faktori ndërkombëtar, të cilët vazhdimisht u kanë bërë thirrje liderëve të vendit që të tejkalojnë ndarjet politike dhe të vendosin interesin e shtetit mbi gjithçka tjetër.