#Lajme

E emocionoi kënga e UÇK-së, shtiu me armë në ajër – përfundon në ndalim 48-orësh në Prishtinë

Një aheng familjar në Prishtinë ka përfunduar me ndërhyrje të Policisë dhe ndalimin e një personi që festoi me armë zjarri, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

Rasti ka ndodhur më 20 korrik 2025, rreth orës 22:30, në rrugën “Fahri Fazliu”, ku qytetarët raportuan për të shtëna armësh. Njësitë policore intervenuan menjëherë dhe identifikuan të dyshuarin si S.G., 46 vjeç.

Gjatë intervistimit në prani të avokatit, ai ka deklaruar se ishte emocionuar kur gjatë festës u lëshua një këngë për UÇK-në dhe për këtë arsye kishte shtënë tri herë në ajër me një armë me gas.

I dyshuari ka dorëzuar vullnetarisht armën, një karikator dhe tri gëzhoja, të cilat janë sekuestruar si dëshmi materiale nga Policia.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, ndaj tij është iniciuar rast për “Mbajtje pa leje e armës” dhe “Përdorim i armës”. Ai është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë ende në zhvillim.