#Kosova #Lajme

Sot tentimi i 50-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Sot në orën 11:00, deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës do të mblidhen për herë të 50-të, në përpjekjen e radhës për konstituimin e legjislaturës së nëntë, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.

Megjithatë, procesi mbetet i bllokuar në mungesë të një marrëveshjeje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Edhe përpjekja e fundit, e mbajtur të shtunën, përfundoi pa sukses – njëjtë si 49 tentimet e mëparshme.

Gjatë asaj seance, kryesuesi Avni Dehari u bëri thirrje partive që të propozojnë anëtarët e Komisionit për votimin e fshehtë, por kërkesa e tij nuk u mor parasysh. Nga 90 deputetë të pranishëm, vetëm 50 morën pjesë në votim, pa ndonjë votë kundër apo abstenim, ndërsa pjesa tjetër refuzoi të marrë pjesë në proces.

Përkundër se kanë kaluar katër muaj nga zgjedhjet, Kuvendi vazhdon të jetë i paralizuar, duke e pamundësuar fillimin e punës së rregullt të institucionit.