#Lajme

Dështim edhe në seancën e 49-të: Kuvendi i Kosovës sërish nuk arrin të konstituohet

Seanca e 49-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka përfunduar pa rezultat, duke shënuar një tjetër dështim në përpjekjet për formimin e institucioneve.

Pavarësisht përpjekjeve të grupeve parlamentare, deputetët nuk arritën të gjejnë konsensus për hapat e mëtejshëm. Me 50 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nuk kaloi propozimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë – një kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje për të proceduar me kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ashtu si në seancën e 48-të, edhe këtë herë propozimi i kryesuesit Avni Dehari nuk siguroi shumicën e nevojshme, duke lënë të pazgjidhur çështjen kryesore që po pengon konstituimin e Kuvendit.

Mungesa e dakordimit mes partive politike vazhdon të thellojë krizën institucionale në vend, e cila ka zgjatur tashmë për disa javë.