#Sport

Barcelona në bisedime për rikthimin e Xavi Simons, shqyrtohet marrëveshja me shkëmbim lojtarësh

Barcelona është duke zhvilluar bisedime për rikthimin e mesfushorit holandez Xavi Simons në “Camp Nou”, pavarësisht vështirësive financiare që e komplikojnë realizimin e këtij transferimi. Drejtori sportiv i klubit katalanas, Deco, ka mbajtur një takim 45-minutësh me përfaqësuesit e lojtarit, përfshirë edhe vëllain e tij, për të diskutuar mundësitë konkrete të rikthimit.

RB Leipzig, klubi që aktualisht zotëron kartonin e Simons, kërkon 70 milionë euro, një shumë që është jashtë kapaciteteve aktuale financiare të Barcelonës. Megjithatë, dëshira e lojtarit për t’u rikthyer te klubi që e formoi mbetet e madhe dhe mund të luajë rol kyç në negociata.

Sipas mediave spanjolle, një marrëveshje me shkëmbim lojtarësh po shihet si opsioni më realist. Barcelona mund të përfshijë në marrëveshje disa futbollistë të saj për të ulur çmimin e kërkuar nga Leipzig dhe për të mundësuar transferimin e Simons pa shkelur rregullat financiare të La Ligës.