#Lajme

Rritet rreziku nga spiunazhi: Serbia po synon destabilizimin e Kosovës përmes agjentëve të infiltruar

Numri i rasteve të dyshuara për spiunazh në Kosovë është rritur dukshëm muajt e fundit, duke ngritur alarmin për sigurinë kombëtare. Rasti më i fundit përfshin arrestimin e togerit Bojan Jevtiq, i cili po hetohet për përfshirje në aktivitete të paligjshme që dëmtojnë sigurinë e vendit. Jevtiq, që mbante postin e shefit të operativës në policinë kufitare në pikëkalimin “Dheu i Bardhë”, është arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të Inspektoratit Policor, Agjencisë Kosovare për Inteligjencë dhe Prokurorisë Speciale.

Me këtë arrestim, numri i përgjithshëm i personave të dyshuar për spiunazh arrin në gjashtë, përfshirë edhe Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të cilët tashmë po përballen me drejtësinë për bashkëpunim me shërbimet e inteligjencës serbe dhe për shpërndarje të informacioneve të ndjeshme në lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Ekspertët e sigurisë paralajmërojnë se këto veprime janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Serbisë, e cila synon të destabilizojë Kosovën dhe të dëmtojë imazhin e saj ndërkombëtar. Skender Perteshi nga Instituti “Prevent” tha se çdo depërtim i shërbimeve serbe të inteligjencës në institucionet e Kosovës paraqet rrezik serioz dhe duhet të trajtohet me prioritet të lartë.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë Nuredin Ibishi thekson se këto raste janë dëshmi e qartë e përfshirjes së agjentëve serbë të shtyrë edhe nga Rusia. Ai vlerëson punën e institucioneve të sigurisë në vend, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të rasteve të tilla me seriozitet të lartë, sidomos kur të dyshuarit kanë pasur qasje në informacione të klasifikuara.

Të dy ekspertët pajtohen se përmes këtyre veprimeve Serbia synon të minojë përpjekjet e Kosovës për stabilitet dhe ta njollosë narrativen e saj për të kaluarën, sidomos në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Për këtë arsye, ata bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar dhe masa të forta kundër aktiviteteve të spiunazhit.