#Lajme

Shtyhet seanca për rastin “Banjska” për shkak të mungesës së dëshmitarit anonim

Vetëm pak minuta pas fillimit, seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve për sulmin në Banjskë është shtyrë për të hënën, për shkak të mungesës së dëshmitarit anonim të propozuar nga Prokuroria Speciale. Lajmin e konfirmoi gjyqtari i çështjes, duke theksuar se dita e sotme ishte parashikuar pikërisht për dëshminë e këtij dëshmitari.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, rreth orës 09:00 ka filluar seanca ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët ndodhen në paraburgim për përfshirje në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shtator 2024 nga Prokuroria Speciale, tre të akuzuarit, së bashku me Milan Radoiçiqin dhe 44 persona të tjerë, akuzohen për kryerjen e veprës penale “sulm terrorist”. Ata ngarkohen se me përdorim të armëve të rënda kanë tentuar të shkëpusin veriun e Kosovës dhe t’ia bashkëngjisin Serbisë. Si pasojë e këtij sulmi, u vra zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe u rrezikua jeta e pjesëtarëve të tjerë të Policisë së Kosovës dhe civilëve.

Për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, dhe 40 të pandehur të tjerë është lëshuar fletarrest ndërkombëtar, pasi ndodhen ende në arrati.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *