Parandalohet kontrabandë me mallra në Viti – sekuestrime me vlerë mbi 5 mijë euro
Njësia e përbashkët TASK FORCE – Lindje, e përbërë nga Policia e Kosovës dhe Dogana e Kosovës, ka ndërmarrë veprime të shtuara në zonën kufitare me Maqedoninë e Veriut, me qëllim parandalimin e aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare.
Gjatë një aksioni në territorin e komunës së Vitisë, kjo njësi ka ndaluar një automjet furgon me targa vendore, i cili drejtohej nga një qytetar i Kosovës. Gjatë kontrollit në automjet janë zbuluar mallra tekstili, pajisje elektronike dhe mbathje sportive, të gjitha pa dokumentacion përkatës dhe të dyshuara si të falsifikuara, duke përfshirë produkte me marka tregtare të mbrojtura.
Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se këto mallra janë transportuar ilegalisht përmes dy kompanive të postës së shpejtë. Për shkak të mungesës së dokumentacionit, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Terminalin Doganor në Ferizaj, ku mallrat, me një vlerë të vlerësuar mbi 5,000 euro, janë sekuestruar.
Rasti po trajtohet në bashkëpunim mes Doganës dhe Policisë së Kosovës, të cilat kanë theksuar angazhimin për të goditur kontrabandën dhe veprimtaritë kriminale që dëmtojnë ekonominë e vendit.













