Ushtarët amerikanë ndihmojnë në shuarjen e zjarreve në Kosovë – shpëtojnë Manastirin e Deviçit në Skënderaj
Ushtarët amerikanë po vazhdojnë të japin ndihmë konkrete në Kosovë, jo vetëm për sigurinë, por edhe në përballjen me zjarret që kanë përfshirë vendin këtë verë.
Trupat nga Garda Kombëtare e Kentucky-t, që veprojnë në kuadër të KFOR-it, kanë ndërhyrë për të ndihmuar në shuarjen e disa prej këtyre zjarreve, përfshirë edhe një rast që rrezikonte trashëgiminë kulturore të vendit.
Bëhet fjalë për Manastirin e Deviçit në Skënderaj, i cili ishte në rrezik për shkak të flakëve. Ndërhyrja e shpejtë e Task Forcës së Aviacionit nga Garda e Kentucky-t bëri të mundur që manastiri të shpëtohej nga dëmet.
Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka reaguar për këtë rast përmes një postimi në rrjetin “X” (ish-Twitter), duke theksuar angazhimin dhe gatishmërinë e trupave amerikane në misione të tilla.
“Kur zjarret kërcënuan Manastirin e Deviçit në Kosovë, Garda e Kentakit, Task Forca e Aviacionit u vendos në aksion. Falë reagimit të tyre të shpejtë, manastiri u ruajt”, thuhet në postimin zyrtar të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.











