Real Madridi në kërkim të një sulmuesi anësor – Rodrygo drejt largimit?
Real Madridi ka nisur përgatitjet për sezonin e ri dhe fokusi kryesor i klubit mbretëror këtë verë është përforcimi i repartit ofensiv. Sipas ESPN, pas përfundimit të Kupës së Botës për Klube, drejtuesit sportivë të klubit kanë vlerësuar se është koha për të ndërhyrë në fazën e sulmit, duke synuar një anësor të ri.

Situata e Rodrygos është bërë më e pasigurt se kurrë më parë, ndërsa edhe Vinicius Jr, megjithëse më pak i rrezikuar për largim, ka tërhequr interesim nga disa prej klubeve më të mëdha në Evropë.
Për këtë arsye, Real Madridi tashmë ka aktivizuar planin për të gjetur një lojtar të ri me cilësi në duelet një për një, shpejtësi dhe potencial për rritje të mëtejshme. Objektivi është të sigurohet një profil që kombinon përvojën me perspektivën afatgjatë, me vëmendje të veçantë në Premier Ligë dhe Bundesliga.
Procesi i skautimit është në zhvillim dhe brenda klubit janë mbajtur takimet e para për të identifikuar emrat potencialë. Largimi i mundshëm i Rodrygos, që ndodhet në radarët e Liverpoolit dhe Chelseat, ka përshpejtuar lëvizjet e klubit.
Në Valdebebas duan të shmangin improvizimet në minutën e fundit dhe po punojnë me synimin që çdo lëvizje të jetë e mirëplanifikuar, në një sezon ku objektivi është i qartë: të garohet për të gjitha trofetë.











