#Kosova #Lajme

Ish-minatori nga Vushtrria proteston para Kuvendit: “Formoni parlamentin, boll e kënaqet serbin”

Një ish-minator nga Vushtrria ka protestuar sot para Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që të formohet sa më parë parlamenti i ri dhe të mos zvarritet më procesi.

I emocionuar, qytetari që tha se po flet në emër të ish-minatorëve dhe punëtorëve të kombinatit “Trepça”, kujtoi protestën historike të vitit 1988, kur minatorët marshuan drejt Prishtinës për të kërkuar të drejtat e tyre.

“Në nëntor të vitit 1988 morëm vendim me ardhë në këmbë në Prishtinë. Të drejtat na janë cenuar prej shkaut. Sot vendosa me ardhë këtu, ku kam qenë i burgosur, ku kemi marrë vendimin për marshimin. Prej 1260 minatorëve, vetëm 217 jemi ende gjallë”, tha ai para mediave.

Ai u bëri thirrje partive politike që ta respektojnë votën e qytetarëve dhe të mos e zhgënjejnë besimin që u është dhënë:
“Ju dhamë votat, ju besuam – mos na e keqpërdorni. Formoni parlamentin, boll e kënaqet serbin,” theksoi ai.