#Kosova #Lajme

Izmaku optimiste për formimin e institucioneve javën e ardhshme, Nisma synon kryeparlamentarin

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, është shprehur optimiste se javën e ardhshme vendi mund të dalë me institucione të reja. Ajo ka konfirmuar se takimi i paralajmëruar ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe liderit të Nismës, Fatmir Limaj, pritet të mbahet në fundjavë.

Në një intervistë në emisionin “InfoNata” në Tëvë1, Izmaku theksoi se Nisma nuk ka hequr dorë nga kërkesa për postin e kryetarit të Kuvendit.

“Java e ardhshme ndoshta ka me na dalë me një rezultat pozitiv edhe më frytdhënës. Po dua me shpresu dhe po besoj që kemi me buzëqesh si vend dhe me pa vendin me institucione”, deklaroi Izmaku.

Duke folur për pozicionin e Nismës në bisedimet politike, ajo theksoi se kërkesa për postin e kryeparlamentarit nuk ka qenë kusht, por një vlerësim i përgjegjësisë që Nisma është e gatshme ta marrë.

“Në momentin kur kërkohet partneritet, ti e mendon çfarë përgjegjësie ke me marrë. Në këtë drejtim, Nisma e ka menduar që përgjegjësia që do ta çonte në vend me sukses është pozita e kryetarit të Kuvendit. Mendoj që bisedimet të vazhdojnë dhe pres që kjo të kurorëzohet, por assesi nuk ka qenë kushtëzim”, u shpreh ajo.