#Lajme

Katër persona të dyshuar për vjedhje arrestohen në Vushtrri, njëri ndalohet për 48 orë

Vushtrri, 17 korrik 2025

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për përfshirje në disa raste vjedhjesh të ndodhura në komunën e Vushtrrisë. Arrestimet janë bërë pas hetimeve intensive nga hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri, lidhur me tri raste të raportuara tri ditë më parë.

Të dyshuarit janë identifikuar dhe kapur nën dyshime të bazuara dhe mbi bazën e provave të siguruara që tregojnë se ata kanë vepruar në bashkëkryerje në tri lokacione të ndryshme brenda komunës. Sipas policisë, cak i këtyre vjedhjeve kanë qenë materiale ndërtimore, mjete të amvisërisë, një telefon si dhe gjësende të tjera.

Policia ka arritur të gjejë disa prej sendeve të vjedhura, përfshirë telefonin, i cili është kthyer pronarit të ligjshëm.

Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, një nga të dyshuarit madhor është ndaluar për 48 orë, ndërsa tre të tjerët, të cilët janë të moshës së mitur, janë liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet në lidhje me rastin vazhdojnë.