#Kosova #Lajme

Pas 30 vitesh uzurpim, familja Onbashi rikthen banesën në veri të Mitrovicës

Pas tri dekadash pritje, familja Onbashi ka arritur të rikthejë në pronësi dhe posedim banesën e saj në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila ishte uzurpuar që nga vitet ’90.

“Sot, më 16 korrik 2025, pas një periudhe prej 30 vitesh uzurpimi të padrejtë, familjes sonë i është kthyer në pronësi dhe posedim banesa në pjesën veriore të Mitrovicës”, deklaroi Seid Onbashi, pronari i ligjshëm i banesës.

Ai e cilësoi rikthimin në shtëpi si një përjetim të veçantë emocional, duke thënë se aty janë të lidhura kujtimet më të çmuara të familjes.

“Pas 30 viteve pritje, u rikthyem në banesën tonë në veri të Mitrovicës. Një ndjenjë e veçantë, aty ku kaluam fëmijërinë, aty ku ruhen kujtimet më të çmuara. Nuk është thjesht një banesë, është kthimi në rrënjët tona. E drejta triumfoi”, u shpreh ai.

Onbashi vlerësoi lart qëndrueshmërinë dhe përkushtimin e nënës së tij në këtë proces të gjatë dhe sfidues, duke thënë: “Nëna ishte ajo që asnjëherë nuk u dorëzua”.

Ai gjithashtu falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në kthimin e pronës, përfshirë Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës, udhëheqësin e saj në Mitrovicë, Erblin Macula, Policinë e Kosovës dhe avokatin Ubejd Gashi.