PDK kërkon dorëheqjen e ministrave pas vendimit të Supremes: Funksionet e dyfishta janë jokushtetuese dhe të paligjshme
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar nga Qeveria në detyrë që të lirojë funksionet ekzekutive, pas vendimit të Gjykatës Supreme që, sipas saj, vërteton se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave-deputetë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin.
Në një konferencë për media, deputeti Përparim Gruda theksoi se aktgjykimi i Supremes përbën një mesazh të qartë: ushtrimi njëkohësisht i funksioneve legjislative dhe ekzekutive është i kundërligjshëm. Ai paralajmëroi se çdo ditë që zyrtarët vazhdojnë të mbajnë të dyja pozitat, përbën shkelje penale për moszbatim të vendimit gjyqësor.
“Ky vendim nuk është vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti. Ai vërteton atë që kemi theksuar që nga fillimi – se ky veprim është jokushtetues,” deklaroi Gruda.
Ai theksoi gjithashtu se Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm edhe Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale, të cilin e konsideroi në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë dhe Kushtetutën.
PDK i bëri thirrje Kryeministrit dhe ministrave që të respektojnë vendimin dhe të lirojnë menjëherë funksionet ekzekutive, duke ua deleguar ato zëvendësve të tyre. Gjithashtu, Gruda kërkoi që të ndalen sulmet politike ndaj gjyqësorit dhe që Prokuroria e Shtetit të ndërhyjë për zbatimin e vendimit.
“Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për një qeveri të njerëzve mbi ligjin,” përfundoi ai.











