Gjykata Speciale rrëzon mocionin e mbrojtjes – Të gjitha akuzat ndaj krerëve të UÇK-së mbesin në fuqi
Gjykata Speciale ka refuzuar mocionin e paraqitur nga avokatët mbrojtës të krerëve të UÇK-së, përmes të cilit kërkohej rrëzimi i disa pjesëve të aktakuzës që lidhen me periudhën kohore para majit 1998 dhe pas qershorit 1999.
Mbrojtja argumentoi se në këto periudha nuk ka pasur konflikt të armatosur në Kosovë, prandaj akuzat për krime të pretenduara jashtë këtij intervali nuk duhet të mbesin në fuqi. Por trupi gjykues vlerësoi se incidentet që përmenden në aktakuzë janë pjesë e fakteve materiale dhe jo akuza të ndara në vete, prandaj nuk mund të rrëzohen veçmas.
Sipas gjyqtarit Charles Smith, aprovimi i mocionit do të çonte në fragmentarizimin e çështjes dhe do të minonte koherencën e procesit gjyqësor. Ai theksoi se rregullorja nuk parasheh rrëzimin e pjesëve të veçanta të akuzave në këtë fazë dhe se mocioni nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore.
Trupi gjykues e ka refuzuar mocionin në tërësinë e tij, duke lënë të paprekura të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve. Procesi gjyqësor vazhdon në bazë të aktakuzës ekzistuese.











