#Lajme

Zyrtari doganor dyshohet për kanosje ndaj një polici në Pikën Kufitare Vërmicë – Nisin hetimet

Një incident i pazakontë ka ndodhur më 15 korrik 2025, rreth orës 21:45, në Pikën Kufitare Vërmicë, ku një zyrtar doganor dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor gjatë kohës sa të dy ndodheshin në detyrë.

Sipas informacioneve, konflikti filloi si një fjalosje mes tyre, por situata u përshkallëzua dhe përfundoi me kanosje. Dy zyrtarët po punonin në të njëjtën kabinë të kontrollit kufitar.

Pas raportimit të rastit nga zyrtari policor, i dyshuari u shoqërua në Sektorin e Hetimeve Rajonale në Prizren, ku u intervistua në cilësinë e të dyshuarit. Me vendim të Prokurorisë, ndaj tij është iniciuar rast penal për veprën “Kanosje” dhe është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet janë duke vazhduar për zbardhjen e plotë të ngjarjes.