Arrestohet 26-vjeçari në Mitrovicë – Mbante armë pa leje nën ulësen e veturës
Një 26-vjeçar është arrestuar sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicë, pasi gjatë një kontrolli në veturë iu gjet një armë zjarri e paautorizuar. Rasti ka ndodhur rreth orës 16:00 në rrugën “Migjeni”, kur njësitë policore të stacionit “Mitrovicë Jugu” kanë ndaluar një automjet për kontroll të rregullt.
Gjatë kontrollit, nën ulësen e pasagjerit është zbuluar një pistoletë, një karikator dhe 28 fishekë. Personi i dyshuar, M.I., shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor.
Ndaj tij është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”, ndërsa me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit policor. Arma dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale.











