#Ballina #Lajme

Gjinekologu akuzohet për keqpërdorim të pozitës – dyshohet se e detyroi pacienten të lindë në klinikë private ku punonte vetë

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj gjinekologut S.GJ., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, mjeku në fjalë dyshohet se më 31 janar 2022, duke shfrytëzuar pozitën e tij zyrtare në repartin e Gjinekologjisë Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, ka vepruar në kundërshtim me ligjin me qëllim përfitimi personal. Ai dyshohet se i ka refuzuar pacientes G.B. kërkesën për të kryer lindjen me operacion në spitalin publik, duke i sugjeruar që këtë proces ta realizojë në një klinikë private në Prishtinë – klinikë ku vetë i akuzuari është i angazhuar si mjek.

Në aktakuzë thuhet se mjeku e ka arsyetuar refuzimin duke përmendur praninë e pacientëve me COVID-19 në repartin e gjinekologjisë, dhe se i ka rekomanduar pacientes dhe bashkëshortit të saj, J.B., që ndërhyrja të kryhet në klinikën private. E njëjta paciente, sipas dokumentit të Prokurorisë, kishte qenë nën kujdesin e të pandehurit në të gjitha kontrollet e mëparshme, si në spitalin publik, ashtu edhe në klinikën private të tij në Prizren.

Lindja përfundimisht u krye në klinikën private në Prishtinë nga vetë i akuzuari, duke u shkaktuar dëm material familjes së pacientes në vlerë prej 1,500 euro.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që pas shqyrtimit të çështjes dhe administrimit të provave, i akuzuari të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.

Gjinekologu akuzohet për keqpërdorim të pozitës – dyshohet se e detyroi pacienten të lindë në klinikë private ku punonte vetë

Osmani nga Riga: Rusia nuk ka ndikim