Sekuestrohen armë dhe thikë në Fushë Kosovë, arrestohen tre persona
Policia e rajonit të Prishtinës ka sekuestruar dy armë zjarri dhe një thikë gjatë një aksioni të zhvilluar në orët e para të mëngjesit në Fushë Kosovë.
Rreth orës 01:00, njësite policore nga Stacioni i Fushë Kosovës kanë ndaluar për kontroll dy persona të dyshuar në rrugën “Aziz Abrashi”, të cilëve u janë gjetur armët dhe thika. Të dyshuarit janë identifikuar si J.G. (29 vjeç) dhe F.G. (27 vjeç), dhe ndaj tyre është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa është iniciuar rast për mbajtje të paautorizuar të armëve.
Po ashtu, gjatë këtij operacioni, është shoqëruar edhe një person i tretë – M.K. (46 vjeç) – i cili kishte një urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore për të njëjtën vepër penale: mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.
Policia ka bërë të ditur se aksione të tilla do të vazhdojnë në kuadër të parandalimit të veprimtarive kriminale dhe rritjes së sigurisë në vend.











