Frankfurter Rundschau: Bllokimi në Kuvend paralizon shtetin – Kurti nuk tregon gatishmëri për kompromis
Gazeta gjermane Frankfurter Rundschau ka raportuar për bllokadën në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar situatën si një paralizë institucionale që po dëmton funksionimin e shtetit.
Sipas artikullit të Thomas Roser, mungesa e kompromisit nga ana e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe partisë së tij, Vetëvendosje, është një nga arsyet kryesore të krizës. Kandidatja e VV-së për kryetare Kuvendi, Albulena Haxhiu, ka dështuar gjashtë herë të sigurojë shumicën e nevojshme, ndërsa partia nuk ka propozuar një alternativë.
Ndërkohë, pasojat janë të rënda: nuk miratohen ligje, nuk ratifikohen marrëveshje ndërkombëtare dhe pozitat kyçe mbesin të paplotësuara – në kohën kur inflacioni ka arritur 4.3%.
Gjykata Kushtetuese ka caktuar si afat për konstituimin e Kuvendit datën 28 korrik. Sot pritet të mbahet seanca e 47-të për ta bërë këtë të mundur.











