Ngërçi në Kuvend vazhdon – sot mbahet tentativa e 47-të për konstituim
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot në orën 11:00 për të tentuar për herë të 47-të konstituimin e legjislaturës së re, pas një serie dështimesh që zgjat prej më shumë se tre muajsh.
Që nga 15 prilli, procesi ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve ndërpartiake, ku Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit – kandidaturë që nuk ka marrë përkrahjen e nevojshme nga partitë e tjera parlamentare.
Edhe tentativa për votim të fshehtë, e propozuar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka kaluar, pasi nuk siguroi shumicën e votave të deputetëve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën më 9 shkurt, por Kuvendi ende nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin dhe nënkryetarët, duke e lënë procesin e konstituimit të bllokuar.











