Policia e Prishtinës sekuestron armë dhe shqipton mbi 4 mijë gjoba në trafik
Gjatë javës së kaluar, Policia e Prishtinës ka zhvilluar një sërë aksionesh në kuadër të intensifikimit të veprimeve për siguri dhe rend publik, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, janë ekzekutuar 200 urdhëresa gjyqësore, prej të cilave 49 lidhen me vepra penale. Të dënuarit me burgim janë dërguar në vuajtje të dënimit, ndërsa ata me gjoba janë liruar pas pagesës.
Në operacione të ndryshme janë sekuestruar 9 armë zjarri të tipeve të ndryshme dhe qindra fishekë.
Fokusi ka qenë edhe në sigurinë rrugore, ku janë shqiptuar gjithsej 4,131 gjoba, përfshirë 905 të identifikuara përmes veturave inteligjente dhe radarëve mobil.
Policia ka paralajmëruar vazhdimin e këtyre aktiviteteve për forcimin e rendit dhe sigurisë në vend.













