Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për pesë kompani – OEK kërkon anulimin e plotë
Gjykata Komerciale ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për pesë kompani të tjera që ishin detyruar të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike. Lajmi u bë i ditur nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), e cila konfirmoi se këto kompani kanë ngritur padi individuale kundër vendimit, duke ndjekur rrugën ligjore të paraparë me legjislacionin në fuqi.
OEK thekson se ligji nuk parasheh padi kolektive, andaj vetëm rastet individuale po shqyrtohen dhe po pranohen nga gjykata.
“Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi,” thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Oda Ekonomike i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për detyrimin e bizneseve që të kalojnë në tregun e lirë, duke paralajmëruar se kjo politikë mund të dëmtojë konkurrencën, të rëndojë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, si dhe të ketë ndikim negativ në ekonominë e vendit.












