#Ballina #Kronika e zezë

Vjedhje e rëndë në Lagjen e Doktorëve në Mitrovicë – Hajnat marrin mbi 8 mijë euro para dhe ar

Një rast i rëndë vjedhjeje është raportuar mbrëmjen e së dielës në Lagjen e Doktorëve në Mitrovicën e Veriut. Persona ende të panjohur kanë hyrë me forcë në një shtëpi dhe kanë marrë para të gatshme dhe stoli ari në vlerë totale prej mbi 8 mijë eurosh.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali brenda hetuesisë, vjedhja ka ndodhur më 13 korrik 2025, në orët mes 18:00 dhe 23:00. Viktima, F.T., 49-vjeçar, ka njoftuar Policinë rreth orës 23:30, duke thënë se kishte gjetur shtëpinë e tij të përmbysur nga hajnat.

Nga vendi i ngjarjes raportohet se janë vjedhur 4.550 euro para të gatshme, stoli ari me vlerë prej 3.560 eurosh dhe tri çanta krahu që kapin vlerën e rreth 50 eurove. Hajnat dyshohet të kenë hyrë në shtëpi përmes një dritareje.

Policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, bashkë me hetuesit dhe krimteknikët, të cilët kanë kryer ekzaminimet fillestare. Prokurori kujdestar ka autorizuar hapjen e rastit si “Vjedhje e rëndë”.

Për momentin nuk ka të dyshuar, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia përkatëse e Policisë në Mitrovicë.