#Ballina #Lajme

Vijon aksioni në Theth: IKMT shemb ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) ka vijuar edhe këtë të diel aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Thethit. Fadromat kanë shembur disa objekte, pavarësisht rezistencës së disa banorëve, të cilët kanë investuar paratë e fituara në emigracion.

Në mbështetje të aksionit janë angazhuar dhjetëra forca policie, për shkak të tensioneve që herë pas here shfaqen në terren. Ndërkohë, strukturat e bashkisë po punojnë për pastrimin e inerteve dhe rivendosjen e rendit në zonë, në një periudhë me fluks të lartë turistësh.

Ende nuk është bërë publik numri i saktë i objekteve që do të shemben, por IKMT ka paralajmëruar se në fokus janë të gjitha ndërtimet pa leje që dëmtojnë peizazhin dhe imazhin e Parkut Kombëtar të Thethit.

Aksioni pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim, ndërsa autoritetet kanë identifikuar objekte të tjera që do të verifikohen për mungesë dokumentacioni.