Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan – Policia jep detaje zyrtare
Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan – Policia jep detaje zyrtare
Policia e Kosovës ka dhënë versionin zyrtar për vdekjen e një 27-vjeçari në Lipjan, i cili humbi jetën pas ndërhyrjes së policisë më 7 korrik rreth orës 00:12. Sipas njoftimit, qytetarët kishin raportuar për një person me sjellje agresive që përbënte rrezik për kalimtarët dhe automjetet.
Policia tha se i riu kishte vazhduar me sjellje të pakontrollueshme edhe në prani të zyrtarëve dhe, për ta neutralizuar, ishte përdorur sprej mbrojtës. Paraprakisht, zyrtarët kishin tentuar të negocionin me të për disa minuta dhe ishte thirrur ndihma e shpejtë për shkak të gjendjes së tij psikologjike.
Pasi u arrestua, ambulanca mbërriti pas tre minutash, por mjekët konstatuan vdekjen e tij. Në vendin e ngjarjes u gjetën gjësende personale dhe një substancë që dyshohet të jetë narkotike. Policia njofton se po bashkëpunon me Prokurorinë, IPK-në dhe institucionet tjera për zbardhjen e rastit. Katër policë dhe një rreshter janë suspenduar dhe dërguar në mbajtje. Hetimet janë në vijim dhe priten rezultatet e obduksionit.











