Familjet në Kosovë po kthehen drejt energjisë diellore për të kursyer
Familjet në Kosovë po kthehen drejt energjisë diellore për të kursyer
Në Kosovë po rritet ndjeshëm interesimi për panelet diellore, teksa çmimet e larta të energjisë dhe subvencionet shtetërore po nxisin familjet të investojnë në vetëkonsum. Shembull është familja Rashiti nga Lipjani, e cila me një sistem diellor prej 7 kW, ka ulur faturën mujore nga 70 në vetëm 3 euro.
Investimi prej 7,500 eurosh pritet të kompensohet pjesërisht nga një subvencion prej 1,500 eurosh nga Ministria e Ekonomisë. Kjo ministri ka mbështetur qindra familje dhe biznese gjatë vitit të kaluar për instalimin e sistemeve të ngjashme.
Sipas Zyrës së Rregullatorit për Energji, vetëm këtë vit janë dhënë 671 autorizime për vetëkonsum – një rritje e madhe krahasuar me vitet e mëparshme. Kosova synon që deri më 2031, 35% e energjisë të vijë nga burimet e ripërtërishme, ndërsa aktualisht mbi 90% e saj prodhohet nga thëngjilli.











