#Lajme

Hamza i propozon Kurtit marrëveshje: Presidenti të vijë nga PDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se i ka paraqitur kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, një ofertë sipas së cilës presidenti i ardhshëm i vendit do të zgjidhej nga një propozim i PDK-së.

Në një deklarim për media pas takimit të dytë me Kurtin, Hamza e cilësoi këtë si propozimin e fundit zyrtar të PDK-së për të shmangur zgjedhjet dhe për të zhbllokuar situatën politike. Ai tha se tashmë pret përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa kjo parti pritet të mbajë të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm.

“Sot, në takimin e dytë me Kurtin, ofruam një mundësi konkrete dhe të fundit për tejkalimin e ngërçit politik, duke propozuar që presidenti të zgjidhet nga radhët e PDK-së, me synim stabilitetin institucional. Kryesia e PDK-së vlerëson se e ka dhënë kontributin e saj në këtë proces”, deklaroi Hamza.

Ai sqaroi se fillimisht ishte kërkuar që kandidatura të vinte nga familja Jashari, por kjo familje ka shprehur publikisht qëndrimin kundër përfshirjes në politikë, vendim që, sipas tij, respektohet.

Hamza theksoi se përgjegjësia për zhvillimet e mëtejme i takon shumicës parlamentare. “Ne jemi opozitë dhe do të veprojmë si të tillë. Nuk mund të zëvendësojmë shumicën parlamentare dhe as të marrim përgjegjësi që nuk na takon. Opozita ka rol mbikëqyrës, jo shpëtues. Vendit i duhet president dhe institucione funksionale, ndërsa përgjegjësia është e atyre që qeverisin”, u shpreh ai.

Sipas tij, në takimin e fundit nuk janë diskutuar emra konkretë, pasi bisedimet nuk kanë arritur në atë fazë. Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 4 mars për zgjedhjen e presidentit të ri.