Kurti: “Shtëpia e verdhë” është narrativë hibride e Serbisë, lufta e UÇK-së ishte e drejtë
Albin Kurti ka deklaruar se e ashtuquajtura “Shtëpia e verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikim organesh nga pjesëtarë të UÇK-së, duke e cilësuar këtë pretendim si pjesë të një narrative hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë.
Në një postim me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës – Kurti bëri një përmbledhje të aktiviteteve shtetërore, duke theksuar edhe mbajtjen e Konferencës së Dytë Ndërkombëtare të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës me temën “Nga lufta në rimëkëmbje”.
Ai tha se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme për liri dhe mbijetesë, si përgjigje ndaj represionit sistematik dhe shkeljes së të drejtave të shqiptarëve në Kosovë. Sipas tij, proceset gjyqësore që po zhvillohen në Hagë nuk mund ta vënë në dyshim karakterin çlirimtar dhe antikolonialist të kësaj lufte, as aspiratën e Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet.
Duke folur për pretendimet rreth “Shtëpisë së verdhë”, Kurti tha se ato janë iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pak pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe përbëjnë, sipas tij, një përpjekje për të njollosur luftën e UÇK-së.
Ai përmendi gjithashtu pretendimet për të ashtuquajturin “Sarajevo safari”, ku sipas disa informacioneve, individë nga Serbia dyshohet se kanë paguar për të qëlluar civilë boshnjakë gjatë rrethimit të Sarajevës në fillim të viteve ’90. Kurti theksoi se për hetimin e këtyre krimeve do të duhej të angazhohej një gjykatë speciale ndërkombëtare.
Në fjalën e tij në hapje të konferencës, kryeministri nënvizoi rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës si pjesë e drejtësisë tranzicionale dhe respektit ndaj viktimave. Ai tha se Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës ka forcuar kapacitetet dokumentuese dhe arkivore, duke standardizuar procedurat e verifikimit dhe duke avancuar regjistrimin e viktimave dhe dëmeve të luftës.
Kurti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës ka paraqitur kërkesë zyrtare lidhur me arkivat e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY), me qëllim që të sigurohet qasje e barabartë dhe dinjitoze për viktimat dhe institucionet e Kosovës.
Në përmbyllje, ai theksoi se e ardhmja e Kosovës ndërtohet mbi të vërtetën e dokumentuar, drejtësinë dhe profesionalizmin institucional, duke riafirmuar angazhimin për përballje të ndershme me të kaluarën dhe për konsolidimin e shtetit ligjor.










