#Lajme

Një vetë-aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes në rrugën nacionale Prishtinë–Pejë, në zonën e Sllatinës, ku një person ka pësuar lëndime të rënda, ndërsa dy të tjerë janë lënduar më lehtë.

Ngjarja ka ndodhur më 6 shkurt 2026 rreth orës 19:40. Sipas informatave fillestare, në aksident është përfshirë një veturë BMW me targa vendore, e drejtuar nga një 29-vjeçar me inicialet F.B. Në automjet ndodheshin edhe dy persona të tjerë, A.B., rreth 33 vjeç, dhe L.B., rreth 34 vjeç.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe Njësiti i Hetimeve, ndërsa është siguruar perimetri i aksidentit. Ekipet emergjente kanë dhënë ndihmën e parë, ndërsa zjarrfikësit kanë intervenuar për nxjerrjen e të lënduarve nga vetura.

Të tre personat janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërsa dy të tjerët kanë pësuar lëndime më të lehta.

Sipas burimeve, dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit. Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave.