Shkodër: Arrestohet një 19-vjeçar, sekuestrohen mbi 164 mijë euro të dyshuara false

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariatin e Policisë Shkodër, me mbështetjen e Sektorit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Livadhet 3”.
Operacioni është zhvilluar në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkodrës dhe si rezultat i kontrolleve të kryera është arrestuar në flagrancë shtetasi O. Ç., 19 vjeç, banues në Shkodër.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e disa shtetasve të dyshuar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të lidhura edhe me operacionet e mëparshme “Livadhet 1” dhe “Livadhet 2”, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në banesën e 19-vjeçarit:
164 300 euro të dyshuara të falsifikuara municion luftarak 8 aparate celularë një sasi lënde djegëse një automjet të dyshuar të vjedhur në Fushë-Krujë në vitin 2019 dy targa automjeti të dyshuara të vjedhura në Tiranë në vitin 2025
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.








